Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri zbret në Pogradec

Të rinjtë sjellin nëpërmjet artit problematikat që shqetësojnë komunitetet lokale. Organizata Asistencë për Komunitetin Shqipëri – ACA dhe Shoqata e Artistëve të Rinj të Skenës ShARS, me mbështetjen e Lëviz Albania, sjell për herë të parë nëpër rrugët e qyteteve të Shqipërisë Teatrin e Rrugës nëpër Shqipëri.

Të rinjtë nga pesë qytete të vendit, Berat, Kuçovë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, performojnë në qendrat e qyteteve të tyre, duke sjellë më pranë komuniteteve ku jetojnë një formë arti sa të vjetër po aq edhe moderne. Në etydet e performuara nga të rinjtë trajtohen problematika që shqetësojnë komunitetet lokale, të tilla si vendimarrjet e pakonsultuara të pushtetit vendor, shitblerja e votës, korrupsioni, mungesa e ambienteve shplodhëse dhe argëtuese, mungesa e ujit, gjelbërimit, etj.

Teatrit të Rrugës synon që qytetarët jo vetëm të argëtohen, por edhe të ndërgjegjësohen për t’u bërë më aktiv në komunitetin ku jetojnë, për t’u përfshirë në vendimmarrjen lokale, për të ngritur sistemin e kërkimit të llogarisë ndaj të zgjedhurve vendorë dhe për t’u kthyer në aktorë aktiv në luftën për parandalimin dhe luftimin e sjelljeve abuzuese dhe korruptive nga të zgjedhurit vendorë.

Këtë të premte dhe të shtunë në Pogradec dhe Tushemisht të rinjtë i kthyen sheshet kryesore në skena teatrore nëpërmjet shfaqeve tepër interesante.

Teatri i Rrugës në Pogradec dhe Tushemisht u mundësua falë mbështetjes Bashkisë Pogradec. Korça do të jetë qyteti i fundit që do të presi Teatrin e Rrugës, ngjarje që do të zhvillohet në javët në vijim.

Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri synon të sjellë ndryshimin nëpërmjet nxitjes së pjesemarrjes së komunitetit në vendimmarrje dhe forcimit të rritjes së nivelit të demokracise vendore nëpërmjet artit, si një mjet tërheqës për komunitetin, veçanerisht të rinjtë.

Connect with Us!