Projekti INNOVENTER partneritet me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës

Diskutimi rreth sfidave me të cilat përballet ekonomia dhe shoqëria shqiptare, të tilla si konkurueshmëria e ulët, niveli i ulët sipërmarrës dhe norma e lartë e papunësisë, veçanërisht tek grupet e pafavorizuara përfshi të rinjtë e sapodiplomuar, bëri bashkë stafin akademik dhe studentët e Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Aktiviteti i organizuar nga organizata Albania Community Assist – ACA, në bashkëpunim me Fakultetin e Studimeve Profesionale te UAMD u fokusua në prezantimin e Projektit INNOVENTER – Formim Profesional për Sipërmarrësit Socialë, dhe risitë që ai sjell në fushën e edukimit në vend.

Projekti INNOVENTER mbështetet nga fondet e BE nëpërmjet Programit Balkan-Mediterranean dhe po zbatohet në pesë vende të Rajonit: Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Greqi dhe Qipro. Në Shqipëri projekti po zbatohet nga ACA në rajonet Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Projekti bazohet në krijimin e një pakete trajnimi fokusuar formimin e një klase të re sipërmarrësish dhe administratorësh të aftë ta cojnë sipërmarrjen në nivele të reja konkurueshmërie dhe qendrueshmërie, të cilët, nga ana tjetër, janë të mbrujtur me ndjeshmëri të lartë sociale dhe që ‘guxojnë’ të angazhojnë si punëmarrës individë nga grupe të pafavorizuara, pa rrezikuar qendrueshmërinë dhe suksesin e sipërmarrjes së tyre.

Përgatitja e një lidershipi të mirëkualifikuar ne fushen e sipërmarrjes, të aftë për të përballuar problemet, është një nga sfidat me të cilat po përballet jo vetëm ekonomia e brishtë shqiptare, por edhe vetë arsimi i lartë në Shqipëri, në mënyrë të vecantë degët me drejtim ekonomik të cilët përgatisin brezin e ardhshëm të drejtuesve, administratorëve dhe menaxherëve të sipërmarrjeve. Paketa e trajnimit dhe kursi inovativ i ofruar nga INNOVENTER ofron, për herë të pare, mundësinë që pedagoget dhe studentet të njohin dhe përvetësojnë teoritë dhe praktikat më të fundit dhe më të suksesshmet në botë në fushën e sipërmarrjes.

Kursi është i standarteve më të mira që nga konceptimi, përgatitja e materiale didaktike, e deri tek finalizimi. Metodologjia e mësimdhënies është inovative, në një  kombinim të mësimit në klasë me mësimin autodidakt nëpërmjet platformës online dhe mobile. Paketa e trajnimit është e standarteve të larta dhe bashkëkohore e përputhur me legjislacionin evropian në fushën e edukimit dhe formimit professional: me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve – EQF dhe Sistemi Evropian i Kualifikimit të Arsimit dhe Formimit Profesional – ECVET.

Universiteti ‘Aleksandër Moisiu” në Durrës është një partner i rëndësishëm i Projektit dhe eshte përfshirë në fazën e pilotimit të kursit të trajnimit. Pedagogë të këtij Universiteti pas një faze aplikimi dhe përzgjedhjeje tashmë janë pjesë e grupit të parë të trajnerëve kombëtarë që do të certifikohen për ta ofruar kursin për sipërmarrjen sociale.

Connect with Us!